Një 17-vjeçar vrau me plumb në kokë gjyshin 69 vjeç që e kishte rritur që pas vdekjes së prindërve.

Ai tentoi ta fshehë krimin si grabitje, dhe për këtë dha dëshmi televizive dhe para policisë. Por përballë provave u dorëzua dhe më pas deklaroi se shkak ishin konfliktet që kishte me të moshuarin që pas vdekjes së gjyshes.

Nipi 17 -vjeçar vrau me plumb në kokë gjyshin 69-vjeçar në Vlorë, në një ngjarje që dyshohet e planifikuar, por tentoi ta fshehë si grabitje.

Viktima dhe autori mbajnë emrin Vangjel Kapllani, por adoleshenti njihet edhe me emrin Anxhelo.

Ata jetonin bashkë prej vitit 2004, kohë kur adoleshentit i vdiqën në aksident prindërit në Greqi.Pistoletën e kishte blerë tek 3 të rinj.

Adoleshenti e kreu krimin me një pistoletë të cilën e kishte blerë tek tre persona të tjerë të cilët tashmë janë arrestuar, ndërsa kreu një sërë veprimesh për të fshehur vrasjes.Doli në media për të fshehur krimin.

17-vjeçari njoftoi policinë se gjyshin e kishte gjetur të dhunuar në banesë, ndërsa denoncoi edhe vjedhjen e rreth 1 milion lekëve.
Për të përforcuar alibinë doli edhe intervistë në media.

Por skenari i mbulimit të krimit nuk zgjati më shumë se katër orë.
Për shkak të dëshmive kontradiktore, hetuesit ngritën dyshime për krim në familje të cilin e provuan mbi bazë të tabulateve.

Pak kohë më parë adoleshenti i njohur si Anxhelo kishte blerë një pistoletë dhe mbi këtë provë është dorëzuar përballë hetuesve.

Dëshmia: Ishte bërë i dhunshëm
Para grupit hetimor më pas pranoi vrasjen.
“Ishtë bërë posesiv dhe i dhunshëm. Nuk më linte të dilja”, citohet të ketë deklaruar adoleshenti, ndërsa nisjen e konflikteve e lidh me periudhën e vdekjes së gjyshes rreth tre muaj më parë.

Konflikti për vjedhjen e një sasie eurosh
Burime nga grupi hetimor thonë se rreth dy vjet më parë, gjysh e nip kishin patur një konflikt me akuza për vjedhjen e një sasie eurosh, por çështja ishte mbyllur brenda shtëpisë.

Por marrëdhënia e tensionuar nuk ishte evidentuar nga fqinjët, të cilët shprehen të tronditur nga krimi dhe tentativa për ta fshehur.

Por për të adoleshentin, duket se më të rëndësishmit në jetë nuk ishin dy të moshuarit që e rritën, por dikush tjetër, të cilit i kushton këtë citim në profilin e tij në FB:
“Nuk me intereson sa njerez jetojnë në këtë bote, për mua ekziston vetem ti!”

17-vjeçari tashmë do të përballet me akuzën e vrasjes, ndërsa tre të rinjtë që i shitën pistoletën për “armëmbajtje pa leje”.