Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar ndryshimet në qeveri, të cilat kanë marrë miratimin e Presidentit Meta.

Që në nisje të seancës, opozita ka kërkuar debate për dekretin e presidentit. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kërkesa e opozitës nuk është e bazuar në rregulloren e Kuvendit.

Dekretete për ndryshimet në Qeveri
Ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj si ministre e Ekonomisë
Ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku si ministre e Infrastrukturës
Ikën Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti si ministre e Kulturës
Ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini si ministre e Arsimit

Ikën Sonila Qato, vjen Eduard Shalsi ministër për Sipërmarrjen
Ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi si ministër i Bujqësisë
Ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe si zëvendës- kryeministër
Elisa Spiropali emërohet Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin

Mbledhja e sotme e Kuvendit është kërkuar nga kryeministri Edi Rama përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit.

Rama shkruan se motivi i kërkesës së mbledhjen e jashtëzakonshme sotme në orën 17:00 lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve për lirimin dhe emërimin e ndryshimeve në qeveri.

“Motivi i paraqitjes së kësaj kërkese lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të disa ministrave, në kuadër të ristrukturimit organik të qeverisë,

për zgjerimin e objektivave të qeverisë në frymën e reformimit, përmirësimit dhe transformimit të shërbimeve, zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të punës”, thuhet në letrën e kryeministrit Rama drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit.

Ndërkaq, pas letrës së kryeministrit Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka urdhëruar mbledhjen e Kuvendit në sesionin e jashtëzakonshëm.

“Urdhër nr. 1, date 15.1.2019 për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Bazuar në nenin 74, pika 3 të Kushtetutës dhe nenin 42, pika 2, të Rregullores se Kuvendit, me kërkese të Kryeministrit, urdhëroj: I. Mbledhjen e Kuvendit ne sesion te jashtëzakonshëm në datën 16.1.2019, ora 17.00.

Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të sesionit të jashtëzakonshëm, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.

Ndonëse fillimisht PD nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Edmond Spaho e cilësoi antikushtetuese këtë seancë të jashtëzakonshme, me sa duket ka vendosur të jetë në sallë. Mesohet se PD do të marrë pjesë sot në seancën plenare të jashtëzakonshme.

PD dhe LSI kanë kërkuar debate për dekretet e presidentit Ilir Meta, lidhur me votimin e ndryshimeve në qeveri në seancën e jashtëzakonshme.

Kërkesa u bë nga kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili. “Kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve të bëhet me debat. Dhe kërkojmë që të zhvillohet debat, pasi na mbështet rregullorja dhe kushtetuta”, tha Spaho.

Artikulli paraprakKËSHILLI I QARKUT MBLEDHJE JASHTË RADHE PËR EMERGJENCAT
Artikulli tjetërMAZHORANCA VOTON SHKARKIMET, OPOZITA LARGOHET NGA KUVENDI