Gjashtë muaj pas përhapjes së pandemisë, shkollat kanë hapur dyert për 25 mijë nxënësit e qarkut Shkodër. Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër Blediana Osja pas inspektimit nga afër të procesit mësimor në disa shkolla bëri të ditur se në këtë ditë të parë të shkollave tre mësues nuk janë paraqitur në punë si shkak i infektimit me COVID-19 ndërsa thotë se kërkohet respektimi rigoroz i protokollit AntiCovid.

Hapjen e shkollave e ka monitoruar nga afër edhe Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni e cila thotë se do të jetë prezente në terren për t’u siguruar mbi respektimin e protokollit antiCOVID që rrit sigurinë shëndetësore të fëmijëve dhe personelit në shkolla.
Në gjithë Shqipërinë janë rreth 480 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollave, ndonëse në një situatë aspak të zakonshme.

Për shkak të situatës nga pandemia e koronavirusit, në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e COVID-19.

Kështu, ndryshe nga vitet e tjera, ky vit shkollor do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska. Mësohet se janë rreth 30 mijë mësues të angazhuar për vitin e ri shkollor.