Ish Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thotë se kryeministri Edi Rama nuk mund të jetë edhe ministër i jashtëm, pasi Kushtetuta nuk e lejon.

Përmes një postimi në Facebook, Nishani citon Nenin 103, pika 2 e Kushtetutës ku thuhet se ministri nuk mund të ketë edhe poste të tjera.

Nishani thotë se Edi Rama ka vetëm një mundësi të bëhet Ministër i Jashtëm dhe ajo është dorëheqja më parë si Kryeministër.

Postimi i plotë:

Një Kryeministër provokator ndaj Kushtetutës dhe Presidentit të Republikës apo rruga e gjetur për tu larguar ?

Kushtetuta e Shqipërisë e ndalon që Ministri të ushtroj dhe funksione të tjera shtetërore.

Kryeministri nuk mund të jetë dhe Ministër.

Neni 103
Pika 2. “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as …………..”

Kjo çështje u sqarua publikisht dhe institucionalisht në rastin e dekretimit të Lleshajt.

Ai nuk u dekretua sa kohë ushtronte “de jure”, funksione në Forcat e Armatosura.

Pasi u lirua nga ato funksione u bë dekretimi i tij si ministër.
Edi Rama ka vetëm një mundësi të bëhet Ministër i Jashtëm.
Të dorëhiqet më parë si Kryeministër.

Presidenti mund të dekretoj Ministër vetëm një person i cili nuk ka “veprimtari” tjetër shtetërore.

Këtë e thotë të zezë mbi të bardhë, Kushtetuta e Shqipërisë.
Ndoshta kjo është rruga që ka gjetur vetë Edi Rama për tu larguar ?