Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka zhvilluar një takim me trupën e Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Në këtë takim, Presidenti i Republikës pasi theksoi rëndësinë që ka çdo proces zgjedhor, vlerësoi edhe një herë, se sa e nevojshme dhe e domosdoshme, është ushtrimi i veprimtarisë së Kolegjit Zgjedhor për të trajtuar me korrektësi të gjitha konfliktet që do të paraqiten para tij nga subjektet e ndryshme, deri në përfundim të gjykimit të gjithë ankimeve lidhur me procesin zgjedhor.

“Trupa gjyqësore përbërëse e Kolegjit Zgjedhor me eksperiencën e saj të gjatë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, do të jetë në lartësinë e duhur për të garantuar përmbushjen me shumë sukses të detyrës dhe misionit për të cilin ky Kolegj do të funksionojë”, mësohet të ketë thënë Nishani.

Sipas njoftimit, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht, Kryetari i Këshillit te Lartë të Drejtësisë shprehu besimin dhe kërkoi nga Kolegji Zgjedhor, që të qëndrojë me bindje të plotë, vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës, në respekt të të drejtave dhe lirive të njeriut, çka do të sjellë drejtësi dhe paanësi në kryerjen e detyrës. ​Takimi është zhvilluar pasditen e djeshme, ndërsa është publikuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Burimet kanë saktësuar se në takim nuk ka qenë prezent Gjin Gjoni, për shkak të një angazhimi personal.