Një grup i vogël studentësh protestues të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” kanë kërkuar solidaritetin e kolegëve për të vijuar protestën.
Ata u kanë kërkuar të gjithë studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të grumbullohet te godina qendrore por këtë të martë në auditore

ka pasur më shumë studentë që ndjekin leksionet dhe seminaret krahasuar me javët e shkuara dhe gjithçka i ngjan një dite normale mësimi, pavarësisht se grupi i vogël i protestuesve këmbëngul për vijimin e protestës

deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashtruara prej tyre. Ndërkohë protestuesit kanë shpërndarë një tjetër video këngë kushtuar kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama sot sipas burimeve zyrtare ka planifikuar që të inspektojë ecurinë e punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan, punimet për përfundimit e të cilës janë zvarritur prej afër 6 vitesh.

Rama ka planifikuar një inspektim në Spitalin Rajonal të Elbasanit si dhe një takim në prefekturë me drejtues të rëndësishëm të institucioneve dhe kryetarët e bashkive.

Ndërkaq krahas disa takimeve të rëndësishme kryeministri Rama do inspektojë edhe godinat e konviktit të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

E nisur nga ky inspektim mund të zhvillohet edhe një takim me studentët e këtij Universiteti, por ende nuk është konfirmuar një aktivitet i tillë në axhendën e tij gjatë të cilës kryeministri do jetë i shoqëruar nga disa ministra si dhe grupi i deputetëve të PS të Qarkut të Elbasanit.