Shqipëria së fundi ka krijuar një njësi speciale e cila do të merret vetëm me ndalimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kjo njësi pritet që së shpejti t’i bashkohet rrjetit ENFAST, e cila është ombrella e njësive speciale të disa vendeve europiane. Aktualisht është përgatitur një listë me 50 persona që janë në kërkim.

“Do të jetë pikërisht përgjegjësi e kësaj njësie për të identifikuar dhe arrestuar këta persona, qofshin të shpallur në kërkim kombëtar, apo ndërkombëtar. Do të ketë një përditësim të listës, pra sa nga personat e listës do të gjurmohen, lokalizohen apo arrestohen”, thotë Besfort Lamallari, zv/ministër i Brendshëm.

Përfshija e speciale në rrjetin ENFAST, i jep vendin tonë mundësinë e bashkëpunimit më njësitë e vendeve ku Shqipëria nuk ka akses.

“Dhe ato duhet të punojnë për llogari të kësaj skuadre, njësoj siç do punonin për llogari të vendit të tyre që ato përfaqësojne.

Çdo vit, në fund të vitit, çdo vend anëtar ka të drejtën të prezantojnë të paktën dy persona më të kërkuar që këto më pas shpërndahen në vende të tjera në formë kartoline dhe ftohen qytetarët që të japin informacion kundrjet një shpërblimi të caktuar”, thotë Lamallari.

Specialët e policisë, do të funksionojnë në bazë të dy komponentëve; asaj të inteligjencës që punon në zyra të cilët grumbullojnë dhe shkëmbejnë informacione me vendet partnere si dhe komponenti operativ.

“Janë të trajnuar specifikisht për të bërë të mundur ndalimin, neutralizimin e çdo rreziku të mundshëm, apo konfrontime dhe kundër-reagime dhe arrestimin dhe dorëzimin përpara drejtësisë të personave që janë subjekt i punës së skuadrës speciale”, sqaron zv/ministri.

Shqipëria së fundi hapi edhe zyrën e oficerit ndërlidhës të Europolit me qëllim bashkëpunimin me vendet e tjera të Europës dhe shkëmbimit të informacionit.

Artikulli paraprakDËNOHEN 7 SHQIPTARË, KISHIN MBJELLË 347 RRËNJË KANABIS
Artikulli tjetërTË RINJTË KËRKOJNË GJERMANINË, STUDIMI: 285 MIJË TË RINJ SHQIPTARË DUAN TË EMIGROJNË