Prej dy ditësh njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Shkodër zyrtarisht është pa një drejtues. Lindita Haxhia që drejtoi deri më tani këtë insitucion të rëndësishëm që ka peshën më të madhe në menaxhimin e situatës së pandemisë është liruar nga kjo detyrë me kërkesën e saj në bazë të një aplikimi të bërë që përpara se të niste pandemia e COVID-19 dhe është emëruar drejtore e shërbimit parësor në drejtorinë rajonale të operatorit të kujdesit shëndetësor, një strukturë e re kjo që sapo është krijuar.

Emërimi i Haxhisë në pozicionin e ri është bërë që nga e hëna e kësaj jave dhe tashmë prej dy ditësh njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Shkodër është pa një drejtues. Momentalisht aty ka vetëm një mjek që është Dhurata Hysa e cila drejton shërbimin epidemiologjik. Pa lirimit nga detyra të Lindita Haxhisë dhe emërimit të saj në postin e ri drejtues sipas burimeve është hapur konkurimi për drejtuesin e ri në njësinë vendore të kujdesit shëndetësor.

Sipas të njëjtave burime kanë nisur aplikimet dhe brenda pak ditëve pritet të mësohet se kush do të jetë drejtuesi i ri. Nga ana tjetër praktikisht njësia vendore e kujdesit shëndetësor vazhdon të ketë në krye ish-drejtoren Haxhia e cila jep udhëzimet e saj dhe po menaxhon punën deri në momentin që do të vijë drejtuesi i ri. Edhe pse është një ngarkesë e shtuar në dy pozicione duke parë situatën e vështirë në të cilën ndodhet Shkodra si një prej qyteteve më të prekura nga COVID-19, Haxhia ka vendosur që të jetë në krye të punës edhe pse ka një pozicion tjetër që nga kjo e hëna.

Sa i përket drejtorit të ri të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër është ende e paqartë se kush do të jetë duke qenë se duhen pritur aplikimet dhe nëse këto aplikantë plotësojnë kriteret përkatëse për të qenë në atë detyrë. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor gjatë kohës që u drejtua nga Lindita Haxhia ka patur një ngarkesë të madhe duke qenë se Shkodra u kthye në një zonë të kuqe nga COVID-19 me raste që erdhën në rritje.

Edhe në këtë moment numri i atyre që infektohen vijon të ketë një rritje. Tashmë duhet pritur se kush do të jetë drejtori i ri që do zëvendësojë Lindita Haxhinë dhe se kur do të emërohet për të vijuar menaxhimin për pjesën e mbetur. Kushdo që të vijë s’do ta ketë aspak të lehtë në këtë situatë ku Shkodra ka një numër të konsiderueshëm të infektuarish me COVID-19.