Nju Jorku, është vatra kryesore e përhapjes së koronavirusit në SHBA, që deri më tani kryeson listën për numrin e të infektuarve në botë.

Sulejman Çelaj, drejtor i kardiologjisë në Bronx në Nju Jork në një lidhje me Skype thotë se gjendja është shumë e rëndë.

Çelaj: Nju Jorku është epiqendër në SHBA. Qyteti ku unë jetoj ka qenë dhe pika zero ku ka filluar. Situata është shumë e rëndë dhe serioze, njerëzit po vdesin çdo minutë sepse ka simptoma shumë të rënda frymëmarrje, kaplon zemrën. Spitalet janë përplot. Kemi shtuar shtretër dhe pavione por kemi mungesë personeli, personeli është i njëjtë. Po punojmë me orar të shtuar. Pa pritur që të ftohen vullnetarë po lajmërohen vetë, presim që edhe mjekët të dalë në pension të na ndihmojnë. Nju Jorku është qytet shumë i madh dhe është vështirë të kontrollohet. Masat nuk mund të aplikohen si në Shqipëri dhe Kosovë.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi vazhdon të rritet me shpejtësi dhe e ka kaluar shifrën 2800, me mbi 153 mijë të testuar pozitivë.

Anija spitalore Comfort e marinës amerikane lundroi për në portin e Nju Jorkut herët të hënën, duke sjellë shpresë dhe lehtësim në qytetin prej 8.6 milion, i cili është bërë epiqendra e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Anija e bardhë e zbukuruar me kryqe të kuqë ka 1.000 shtretër dhe 12 salla operimi. Personeli i tij mjekësor do të kujdeset për pacientët jo me virus në përpjekje për të zhvendosur një pjesë të barrës nga spitalet e mbingarkuara të qytetit, të cilat janë të përqendruar në trajtimin e rasteve emergjente.

Presidenti Donald Trump e zgjati deri më 30 prill afatin për zbatimin e udhëzimeve të distancimit social. Ai tha se piku i vdekjeve në SHBA me gjasë do të arrijë pas dy javësh, por theksoi se shpreson që vendi të hyjë në rrugën e rimëkëmbjes nga koronavirusi përpara 1 qershorit.