Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk ka pranuar të dëgjojë këshillën e disa miqëve për të hyrë në zgjedhje pasi nëse do të pranonte që Edi Rama të vijonte të ishte kryeministër kriza do të vijonte.

“Kjo nuk është luftë për pushtet dhe për karrige. Është luftë për transformim që të ndryshojmë këtë sistem të qelbur. Nëse do të ishte luftë për pushtet e karrige, do të kalonim nga një krizë tek tjetra.

Prandaj nuk kam dëgjuar këshillat e disa miqve që të hyjmë në zgjedhje, megjithëse sondazhet na favorizojnë. E vetmja rrugë për ta ndaluar këtë për çdo ymër lalë t’i shtrijmë dorën një ymer lale, për çdo shullaz, nja antishullaz, për cdo avdylaj një anti-avdylaj. Por këto nuk do të ishin zgjedhje, do të ishin luftë mes bandave.” ka deklaruar Basha.

“Suksesi në jetë përcaktohet nga të bërit sa më pak gabimeve, por në jetë kalojmë nga të bërit gabime, por unë përpiqem që të mësoj nga gabimet. Në cdo vendim përpiqem që të mësoj nga gabimet, por për rastin konkret nuk dua të bëj asnjë koment. Ose do të jetë zgjedhje ose nuk do të ketë zgjedhje” tha Basha.

Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkim në betejën për votë të lirë, që sipas tij do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky udhëkryq i rrezikshëm.

“Nëse jeni sipërmarrës, fermerë të dëshpëruar, nëse jeni profesionistë, taksoheni shumë dhe këto taksa nuk ju kthehet në investim, nëse jeni pensionist dhe nuk ju dalin paratë për të paguar dritat dhe ilaçet, nëse jeni me ndihmë ekonomike qesharake apo jeni nxjerrë me të padrejtë, në veçanti ju të rinjtë, ejani të ndërtojmë Europën në vendin tonë.

Beteja për votë të lirë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky udhëkryq. O tirani e krimit, o demokraci europiane.

Ejani nesër në protestën kombëtare në orën 18.30. Rama më të vërtetë e ka të pamundur dhe shumë të vështirë për paktin që ka bërë me ata që e sollën në pushtet, por ata nuk janë as socialistët dhe i them të mendohet mirë para se të turrë blindat dhe gazin ndaj shqiptarëve. Ju të rinj që doni standarde ejani ta ndërtojmë bashkë këtu” tha ai.