RONALDO, MESI DHE NOJER JANË TRE FINALISTËT.Nuk ka surpriza për podiumin e më të mirëve për “Topin e Artë” të 2014. FIFA ka shpallur 3 finalistët që do të garojnë për trofeun prestigjioz individual, të cilat janë Cristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Manuel Nojer. Vendimi se cili do të jetë më i miri do të shpallet më datë 15 Janar të 2015 në Zyrih të Zvicrës.

 

Nojer duke se është i favorizuari absolut, pasi ka fituar Botërorin me Gjermaninë dhe Bundesligën e Kupën e Gjermanisë me Bayernin, ndërsa Ronaldo është fitues i Champions League, Kupës së Mbretit, Super Kupës së Europës, teksa pranë është edhe Botërori i Klubeve, ndërsa në aspektin personal ka fituar “Këpucën e Artë” të Europës.

Ndërkohë Mesi, që është mes tre më të mirëve për të tetin vit radhazi, me Barcelonën nuk fitoi asgjë, por me Argjentinën arriti në finalen e Botërorit.

Përsa i përket trajnerëve më të mirë, në garë do të jenë Carlo Ancelotti i Realit të Madridit, Diego Pablo Simeone, kampion i Spanjës me Atleticon dhe Joachim Lev që udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit të katërt botëror. Për çmimin e golit më të bukur “FIFA Puskas”, kandidatë janë Stephanie Roche, James Rodriguez dhe Robin van Persie.