112 zyrtarë të lartë janë gjobitur pasi nuk kanë deklaruar pasurinë gjatë vitit 2018.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kryeinspektori Shkëlqim Ganaj u shpreh se personat e gjobitur janë të të gjitha niveleve drejtuese, ndërsa janë referuar edhe 50 raste në Prokurori.

Ganaj: Në të njëjtën kohë inspektoriati i lartë ka vijuar me zbatimin me korrektësi të 3 ligjeve bazë duke referuar pranë organit të prokurorisë,

strukturave të hetimit tatimor, strukturave të policisë së shtetit, drejtorisë së përgjithshme të parandalimit të pastrimit të parave 53 raste, duke aplikuar edhe 112 masa administrative me gjobë ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.

Kryeinspektori i ILDKPKI ngriti si shqetësim edhe mosfunksionimin e ligjit të sinjalizuesve. Ganaj theksoi se nga privatët nuk ka pasur asnjë rast konkret.

Ganaj: Nga 247 raportime, nga sektori privat nuk ka asnjë rast sinjalizimi. Kjo është një çështje që duhet parë, sepse u bë viti i dytë që nuk ka asnjë sinjalizim nga sektori privat.

Sa i përket vetingut në polici, kreu i ILDKPKI theksoi se tashmë po mblidhen të dhëna për këtë proces.