Pronarë të dy salloneve të llototve sportive në Tiranë janë proceduar nga policia pasi kanë vijuar aktivitetin edhe pas datës 1 janar kur hyri në fuqi ligji që ndalon lojërat e fatit.

Njoftimi i policisë:
Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun në bazë të planit të masave për evidentimin e ushtrimit dhe zhvillimit të kundraligjshëm të lojërave të fatit. Konstatohen 2 subjekte, që nuk kishin mbyllur aktivitetin dhe iu gjetën aparatura të dyshuara për lojëra fati.

Policia lokale procedoi penalisht pronarët e tyre, konkretisht:

– T.C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i llotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Bardhok Biba” në lokalin e tij nuk ishte mbyllur aktiviteti i lojërave të fatit.

– E.B., për veprën penale “Organizim i palejuar i lojërave të fatit”, pasi në rrugën “Muhamet Allushi” në subjektin e tij u konstatuan aparatura të dyshuara për lojëra fati.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital” çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme.