Në prag të ndeshjes me Moldavinë trajneri i Kombëtares Edy Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj folën për mediat në konferencë për shtyp fillimisht duke iu përgjigjur pyetjeve për humbjen me Islandën.

Numri 1 pankinës deklaroi se Shqipëria nuk e meritonte të humbiste në ndeshjen e tij debutuese, pasi sipas italianit kundërshtari shkoi vetëm një herë në portë. Ndërkohë për sfidën e së martës Reja u shpreh:

“Do të shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet e dubluara dhe vetëm ata që janë në 100% do të luajnë. Në mesfushë do të ketë ndryshime dhe në sulm gjithashtu. Formacionin për mediat nuk mundem ta zbuloj pasi fillimisht duhet t’iua them lojtarëve.”

Më tej trajneri deklaroi se është i bindur se kjo skuadër ka potencial , ndërsa i pyetur për objektivin që ka kombëtarja pas humbjes me Islandën Reja u përgjigj:

“Objektivi është që skuadra të përmirësohet vazhdimisht. Ndeshjet nuk kanë përfunduar dhe do të luftojmë deri në fund. Me Moldavinë nuk luajmë për të barazuar, por për të fituar. E rëndësishme është të dalim me kokën lart.”