NËSE KQZ I JEP TË DREJTË E DJATHTA PËRFORCOHET MË SHUMË NË KËSHILL. Partitë politike në Shkodër, disa prej tyre po presim vetëm nxjerrjen e rezultatit përfundimtar dhe zyrtar nga KQZ për Shkodrën pas zgjedhjeve të 21 qershorit për të bërë menjëherë ankimimet e tyre. Burime për “Star Plus” bëjnë me dije se jo vetëm forcat e mëdha politike por edhe partitë e ashtëquajtura të vogla me shumë mundësi do të bëjnë ankimime në KQZ kryesisht për procesin e numërimit të votave.

E sigurtë është se Partia Demokratike e Shkodrës të paktën për dy qendra votimi ka të gatshme ankimimet. E para është qendra 0092 që i përket fshatit Bruçaj në Pult të Dukagjinit. Keti Bazhdari e PS pas numërimit rezulton me 331 vota ndërsa Voltana Ademi e PD me vetëm 44 vota. Sipas demokratëve në atë qendër komisionerët e PD janë larguar për shkak të presioneve dhe komisioni aty ka zgjedhur kryetarin ndërkohë që këtë të drejtë e ka vetëm KZAZ. Po ashtu pretendohet se materialet zgjedhore kanë qenë të paplotësuara gjë për të cilën do të kërkohet pavlefshmëria e asaj kutie. Ka edhe një mospërputhje të votave të kandidatëve me ato për këshillin. Nëse Bazhdari ka 331 vota në Bruçaj, PS për këshill ka vetëm 41, nëse Ademi ka 44 vota PD ka vetëm 4. Si koalicion e djathta ka 65 vota, pra 21 më pak se kandidatja. Po ashtu në qendrën e votimit 261/1, 70 fletë votimi për këshillin bashkiak rezultojnë të pavlefshme gjë për të cilën PD nuk është dakord dhe do bëjë ankimim. Në rast se KQZ vendos t’i japë të drejtë këtyre ankimimeve atëherë koalicioni i djathtë përmirëson numrat në këshillin bashkiak duke bërë që të marrë një këshilltar më shumë nga një prej partive të koalicionit dhe duke ia zbritur një tjetër partie nga koalicioni i majtë. Në të njëjtën kohë ankimime të konsiderueshme priten edhe nga disa prej partive të vogla të cilat kanë pretendime se procesi i numërimit është manipuluar jo pak në Shkodër gjë të cilën e deklaruan edhe publikisht ndaj do kërkojnë hapjen e disa kutive të cilat mbase mund të ndryshojnë jo pak fatet e tyre në këshillin bashkiak.

Artikulli paraprakPD PUBLIKON VIDEO: JA SE SI U MBUSHËN KUTITË NË BRUÇAJ
Artikulli tjetërSHQIPERI-MAL I ZI: LUFTË MIGRACIONIT TË PALIGJSHËM