Dy punonjës, një specialist krimesh dhe një inspektor i Krimeve të Rënda janë pezulluar nga detyra për shkak të daljes së informacioneve hetimore në lidhje me arsenalin e armëve që u gjetën në aksin Elbasan-Papër.

Punonjësit që janë vendosur në hetim administrativ, pasi dyshohet se nxorën informacionin janë; E. Gj. me detyrë specialist krimesh dhe E. H.i, ish-shef i sektorit për krimet në Elbasan, aktualisht inspektor tek krimet e rënda. Dy oficerëve u janë sekuestruar telefonat, ndërsa në hetim administrativ janë edhe dy specialistë të kriminalistikës, por pa masë pezullimi.

Pas atentatit ndaj dy vëllezërve Baho në datë 1 Korrik, policia dhe RENEA nisën kontrollin e banesave dhe territorit. Efektivët e këtij reparti gjatë kontrollit në ambientet e karburantit “Eldio Petrol”, krejt rastësisht zbuluan një bazë armatimi, që besohet se i përket një grupi kriminal të fuqishëm në Elbasan.

Bëhet fjalë për 17 armë të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia e Elbasanit dhe të gjitha janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktilografik në institutin e policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme.

Pjesa më e madhe e armëve janë moderne dhe që i përkasin prodhimit francez dhe belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO. Vetëm 7 janë kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte. Ndërsa pjesa tjetër janë armë të sofistikuara dhe që kanë një preçizion të lartë në qitje. Mes tyre ka dhe snajpera modern. Ndërkohë mësohet se 5 janë pistoleta me silenciator.

Nuk dihet se në çfarë rrethana dhe si kanë hyrë në Shqipëri ky armatim që përdoret nga ushtritë e NATO-s, por tashmë prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim edhe me drejtorinë qendrore të policisë së Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore me qëllim zbulimin e personave që kishin në pronësi këto armë. Lidhur me këtë ngjarje, momentalisht është shpallur në kërkim policor një person i cili quhet Ilir Beko.

Ky person rezulton të jetë dhe pronari i karburantit “Eldio Petrol”, ku në ambientet e këtij karburanti në një magazinë, policia gjeti arsenalin e madh të armëve.

Artikulli paraprakKAPET 25-VJEÇARI I DËNUAR ME 6 VJET E 10 MUAJ BURG NË ITALI PËR VJEDHJE ME DHUNË
Artikulli tjetërBINDJA” DO TË SHKOJË NË GJYKATË, KQZ I RRËZOI TË GJITHA ANKESAT PËR ZGJEDHJET