Banorët e fshatit Obot, në njësinë administrative Oblikë që prej përmbytjeve të vitit 2011 janë përballur me probleme të shumta sa i takon tokave në pronësi të tyre.

Në këtë periudhë të vitit, banorët e kësaj zone merren me mbjelljen e jonxhës, por kryeplaku i fshatit Obot, Gregor Pemaj na tregon se për shkak të dëmtimit, tokat janë mbuluar nga bari e jo nga të mbjellat.

Kryeplaku Pemaj, thotë se për shkak të vështirësive ekonomike, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të fshatit Obot kanë emigruar, duke e lënë kështu tokën djerrë për vite me rradhë.

Përmbytjet kanë lënë pasoja të mëdha, pasi vetëm në harkun kohor të një viti, fshati është përmbytur 5 herë. Gjithçka është tharë, e ndërkohë toka prodhon vetëm bar pasi askush nuk është kujtuar qe të investojë pas përmbytjeve të fundit vitin e kaluar.