Organizata Botërore e Shëndetësisë, shumë e kritikuar për përgjigjen e saj ndaj pandemisë së COVID-19, njoftoi sot krijimin e një paneli ekspertësh të pavarur, mandati i të cilëve do të miratohet në konsultime me shtetet anëtare.

“Jam krenar të njoftoj se ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf kanë rënë dakord të bashkëkryesojnë komitetin e vlerësimit, të cilin ne e quajmë panel të pavarur për përgatitjen dhe përgjigjen ndaj pandemive “, njoftoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus para diplomatëve të shteteve anëtare.

“Unë mund të imagjinoj vetëm dy figura shumë të pavarura për ta bërë këtë vlerësim të ndershëm dhe të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet të bëjmë për të shmangur tragjedi të tilla në të ardhmen”, shtoi ai.