Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për audio përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike dhe rreth video dëshmisë së Albert Veliut për të zbuluar se kush është autori i vërtetë i përgjimit, dhe për të vërtetuar nëse Agron Xhafaj është pjesë e trafikut të drogës, siç pretendon opozita.

Pasi Veliu është marrë në pyetje të premten për më shumë se 5 orë, një burim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thasë i është dërguar fletëthirrje për tu paraqitur në prokurori edhe gazetarit Jetmir Olldashi.

Olldashi pritet të dëshmojë këtë të hënë. Burime nga prokuroria pohojnë se pjesë e hetimit për të cilën do të pyetet Jetmir Olldashi është deklarata e Albert Veliut për blerjen e 20 kileve kanabis, dhe nëse Olldashi ka dijeni.

Prokurorët do të kërkojnë nga Olldashi kopjen origjinale të përgjimit përfshi mjetin regjistrues, ku është regjistruar biseda e pretenduar nga PD mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt

Po të hënën ora 10:00 është dita e marrjes së dëshmive nga prokuroria edhe për deputetët Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi treshja denoncuese e audio përgjimit.

Për llogari të hetimit dëshmia e gazetari Olldashi shikohet me shumë interes pasi ai është ura lidhëse mes Albert Veliu, Agron Xhafajt dhe më pas me Partinë Demokratike.

Dëshmia e Jetmir Olldashit merr një rëndësi të veçantë pas një sërë deklarimesh kontradiktore se kush e ka regjistruar audio përgjimin.

Mësohet se Albert Veliu gjatë dëshmisë në prokurori nuk e ka marrë përsipër autorësisë e këtij veprimi.

Nga ana tjetër kemi deklarimin e Jetmir Olldashit që pranon vetëm që ka marrë kasetën me bisedën Veliu-Xhafaj.

Në një kohë kur Albert Veliu i ka thënë prokurorëve se nuk e ka regjistruar ai bisedën, ndërsa Jetmir Olldashi deklaron se përgjimin ia ka sjellë të gatshëm Veliu, kësaj dileme për autorësinë mbetet ti japin përgjigje vetëm prokurorët e çështjes.