Plotë 123 fëmijë të zhdukur, disa prej të destinuar për trafikim seksual, u shpëtuan nga autoritetet e Detroit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të miturit e zhdukur, u zbuluan gjatë një operacioni masiv të zhvilluar më 26 shtator, por lajmi u bë me dije vetëm këtë të mërkurë.

Operacioni i US Marshals, i koduar “MISafeKid”, kishte si synim gjetjen e 301 të miturve të zhdukur.

Pas shpëtimit të tyre, tashmë po mundohet të kuptohet arsyeja e rrëmbimit, ndërkohë që rezultojnë se nuk janë abuzuar seksualisht, ndonëse një pjesë e tyre ishin të destinuar për tregun e seksit.

Që të gjithë fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, përveç njërit, i cili, nuk hante prej tre ditësh.

“Mesazhi për fëmijët e zhdukur dhe familjet e tyre, është që të mos rreshtin asnjëherë së kërkuari”, thuhet në një deklaratë të U.S. Marshals.