Zbardhen emrat e pesë personave të arrestuar tre ditë më parë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritet Italiane, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Metropolis”.

Gazeta “Shqiptarja.com” mëson se pesë emrat e arrestuar janë Gerald Stafa, Sokol Drogeha, Edi Hushi, Artur Milaqi dhe Lulash Perjo.

Ditën e sotme prokuroria e Tiranës dhe ajo e Durrësit, kanë çuar në gjykatat respektive kërkesën për caktimin e masës së arrestit në burg 40 ditor me qëllim ekstradimin e këtyre personave në drejtim të Italisë, pasi ka qenë gjykata e Breshias ajo që ka lëshuar mandate arrestet për shqiptarët e mësipërm.

Mësohet se këta persona por edhe shtetas të tjerë shqiptarë dhe të huaj që prej datës 1 dhjetor 2015 deri në 28 shkurt 2016 në qytetin e Breshias në Itali, kanë bëshkëpunuar me njëri-tjetrin duke kryer trafik të lëndëve narkotike si kokainë dhe heroinë, të cilën e transportonin nga Holanda drejt Italisë.

I arrestuari Gerald Stafa në bashkëpunim me persona nga zona e Shijakut si Sokol Drogeha, Toni Drogeja, Ylli Tropini, Viktor Balla, Edi Hushi, Artur Milaqi, Artur Tusha, Lulash Perju dhe Taulant Stoica kanë trafikuar sasi të madhe droge e llojit kokainë nga hollanda në Itali,

sasi kjo e cila tashmë është sekuestruar nga karabinierët italianë në Ospitalleto Itali.

Në përfundim të hetimeve, Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Gjykatës së Breshias/Itali, ka dhënë masat e arrestit ndaj 39 subjekteve.

Në këto masa përfshiheshin dhe shtetasit shqiptarë që ndodheshin në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u arrestuan me qëllim ekstradimi për në Itali.