Brukseli i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të mos djegë mandatet e deputetëve, pasi një vendim i tillë bllokon integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Zëdhënësja e KE, Maja Kocijancic u shpreh se vendi i opozitës është parlament dhe jo ta bojkotojë.

Ndërkohë që pasditen e sotme ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca dhe e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Shqipëri, Leyla Moses-Ones zhvilluan një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë, Edi Rama

SHBA dhe BE-ja po tentojnë që të gjejnë një zgjidhje mes palëve për të shmangur krizën institucionale. Pas protestës ditën e shtunë, ndërkombëtarët dënuan dhunën e shtruar, ndërsa opozita njoftoi vendimin për djegien e mandatave duke kërkuar zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie tranzitore që të përgatisë procesin zgjedhor.

Por, kryeministri Edi Rama tha se nuk e çon ndërmend të dorëhiqet dhe se e vetmja pasojë që solli protesta ishte shkatërrimi i një vepre arti, kërpudhës në Kryeministri.

Zëdhënësja e KE, Maja Kocijancic shprehet se vendimi i opozitës shqiptare për të djegur mandatet është kundër interesit dhe përpjekjeve të vendit për integrimin në BE.

“E drejta e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore është një element thelbësor dhe një vlerë thelbësore e çdo demokracie të pjekur dhe duhet të garantohet.

Sidoqoftë, përdorimi i veprimeve të dhunshme dhe dëmtimi i pronës publike siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, nuk janë të pranueshme.

Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane – është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen.

Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE.

Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, theksoi Kocijancic .

Artikulli paraprakPO VJEN SUPERHËNA! MË E SHNDRITSHME SE KURRË GJATË 2019-S
Artikulli tjetërDJEGIA E MANDATEVE, RAMA IRONIZON OPOZITËN: JUVENTUSI S’DUROHET MË, TË DIGJEN FANELLAT