Ditën e shtunë opozita do të zhvillojë protestën e dytë para Kryeministrisë dhe të pestën në total në muajin e fundit. PD dhe LSI-ja kanë paralajmëruar se kjo do të jetë protesta më e madhe që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, por gjithcka mbetet për t’u parë.

Ndërkohë që kryeministri Rama nuk do të jetë në Tiranë ditën e shtunë, kur opozita të protestojë poshtë zyrës së tij. E ndërsa në 16 shkurt, Rama ishte në Vlorë kur opozita protestoi para selisë së qeverisë, pasnesër do të jetë në qarkun e Beratit në kuadër të turit ‘Bashkia që duam’.

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se takimet në këtë qark do të fillojnë që nesër në orën 14:30, ndërsa do të vijojnë të shtunën me të tjera në të gjithë qarkun e Beratit. Opozita kërkon largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.