Një 34-vjeçar nga Rusia, pjesë e ISIS që prej vitit 2013, është arrestuar mbrëmjen e djeshme. Në pranga ka rënë Rasul Mislaev 34 vjeç, lindur dhe banues në Norilsk, i cili rreth një vit më parë kishte mbërritur në Shqipëri si emigrant i paligjshëm.Mësohet se 34-vjecari ka hyrë ilegalisht nga Greqia ku është kapur në Kakavijë.

Që nga ajo kohë, ai është mbajtur në Karrec , qendrën e mbyllur të emigrantëve të paligjshëm dhe kanë nisur hetimet për të mësuar qëllimet e ardhjes së tij në Shqipëri, lidhjet që mund të ketë pasur me persona të caktuara dhe identifikimin e plotë të këtij grupi, pasi që në fillim ishte i dyshuar si terrorist.

Që nga qershori vitit 2013, 34-vjeçari ishte larguar nga Rusia për në Siri, për t’iu bashkuar grupimit ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri. Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, pas një pune disamujore, duke koordinuar veprimet me shërbimet ligjzbatuese partnere dhe ato të inteligjencës, lokalizoi, identifikoi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Rusisë këtë shtetas.

Hetimet për rusin kanë zgjatuar prej disa muajsh, ku dhe ishte në kërkim nga Interpol Moska pasi me vendim penal që mban datën 8 korrik 2015 është lëshuar urdhër – arresti. Mbi të rëndon akuza për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”. 34-vjeçari do të ekstradohet në Rusi, ku dhe do të kryejë dënimin.

Artikulli paraprakSHKODËR, LLESHAJ: EUROPOL DËSHMI E BESIMIT, JO E KUNDËRTA
Artikulli tjetërMUZETË E SHKODRËS, DESTINACION PËR TURISTËT NGA LINDJA E MESME