Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka shpërndarë në rrjetet sociale thirrjen e KQZ-së drejtuar partive politike për të dorëzuar emrat e komisionerëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Në kushtet kur PS-ja e dorëzoi sot listën e komisionerëve, apeli i OSBE-së shkon për opozitën shqiptare, e cila ka vendosur që të mos dërgojë në KQZ asnjë komisioner për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, apo të njohura ndryshe si KZAZ.

“I bashkohemi thirrjes së KQZ-së drejtuar partive politike për të propozuar komisionerë për KZAZ-të.

Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare” thotë OSBE-ja.

Prezenca e OSBE kishte edhe një tjetër thirrje për opozitën, e cila kërkon largimin e Ramës dhe zgjedhje politike të parakohshme përmes një qeverie tranzitore.

“Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë” mbyllet reagimi i OSBE-së.

Partia Socialiste i dorëzoi sot emrat e komisionerëve të saj për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, ndërsa PD dhe LSI kanë vendosur të mos i bashkohet thirrjes së KQZ-së.

Artikulli paraprakSTRAKOSHËN E LË AVIONI, PANUCCI E LË JASHTË GRUMBULLIMIT
Artikulli tjetërERMIR LENJANI: ME LOT NË SY IKI NGA KOMBËTARJA, SA TË JETË PANUÇI NUK LUAJ PËR SHQIPËRINË