PLAN-VEPRIMI KOMBWTAR KA NDIKUAR NË PËRMIRËSIMIN E SITUATËS PËR ENERGJINË.Plan-veprimi kombëtar për energjinë elektrike, një vendim i qeverisë shqiptare pas një periudhe më shumë se një mujore ka dhënë rezultate pozitive.

Rajoni i Shkodrës sa i përket nivelit të arkëtimeve dhe humbjeve njëkohësisht ka përmirësime të dukshme. Madje Shkodra renditet ndër rajonet më të mira të Shqipërisë që kur ka nisur plan-veprimi kombëtar për energjinë elektrike. Kështu burime zyrtare pranë OSHEE bëjnë me dije se për qarkun e Shkodrës nëse krahasojmë periudhat vetëm në muajt, tetor 2014 dhe nëntor 2014 ka një diferencë prej 26 milionë lekësh të reja më shumë se i përket arkëtimeve. Të ndara në njësi, për muajin tetor Shkodra ka 156 milionë lekë të reja që janë paguar nga abonentë ndërsa në muajin nëntor shifra është ndjeshëm më e madhe, 174 milionë lekë të reja. Në Pukë tetori i 2014-ës numëron 20 milionë lekë të reja ndërsa nëntori 22 milionë lekë të reja. Në Malësinë e Madhe po ashtu ka përmirësime tek arkëtimet. Në tetor janë 17 milionë lekë të reja dhe në nëntor 21 milionë lekë të reja. Një situatë pozitive është edhe sa i përket nivelit të humbjeve në rrjet. Sipas shifrave zyrtare për Qarkun e Shkodrës në nëntorin e 2013-ës, humbjet ishin 64.7% ndërsa në nëntorin e 2014-ës janë ulur në 43.1%, pra 21.6% më pak. Sa i përket humbjeve, njësia e Shkodrës para një viti në nëtor humbjet ishin 68.2% ndërsa sot janë 44.8%. Në Malësinë e Madhe nëntori i 2013-ës shënonte 76.1 % humbje e ndërsa nëntori i 2014-ës 47.6%. Një situatë thuajse të njëjtë ka Puka. Para një viti humbjet në Pukë ishin 36.6% ndërsa aktualisht shënohen me rreth 2% më pak, 34.8%.  Shifrat sa i përket arkëtimeve por edhe humbjeve janë një tregues i qartë i ndikimit që ka patur plan-veprimi kombëtar por po ashtu edhe zbatimi i OSHEE-ës në rajonin e Shkodrës. Pavarësisht kësaj mësohet se drejtoria e përgjithshme ka rritur targetin për këtë rajon duke kërkuar që në muajt e ardhshëm të ketë sërish përmirësimeve qoftë tek arkëtimet por edhe tek humbjet.