Pas arritjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për rritjen e pagave dhe pensioneve, qeveria ka parashikuar që 70 milionë dollarë të përdoren për rritjen e pagave, ndërsa 30 milionë dollarë për rritjen e pensioneve.

Qeveria ka në dispozicion fondin 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke parashikuar një rritje në masën 10 për qind për rrogat dhe 3 për qind për pensionet. Pas kërkesave të vazhdueshme të biznesit, qeveria në buxhetin e 2017¬s do të rrisë për herë të parë pas 3 vjetësh edhe pagën minimale. Rritja parashikohet 36 për qind, shkrua Panorama. RRITJA E PAGËS MINIMALE Javën e ardhshme në Tiranë mbërrin misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku në fokus do të jenë diskutimet për buxhetin e vitit 2017, duke përfshirë edhe fondin që do të përdoret për rritjen e pagave dhe pensioneve. Gazeta mëson se qeveria ka vendosur të rrisë edhe pagën minimale. Burime nga Qeveria thanë se rritja parashikohet në masën 36 për qind. Aktualisht, paga minimale është 22 mijë lekë dhe parashikohet të shkojë në nivelin 30 mijë lekë. Në projeksionin për rritjen e pagave, qeveria ka parashikuar që rritja më e madhe të jetë për pagat e ulëta dhe pagat mesatare, ndërsa do të ketë rritje të lartë edhe për kategori të veçanta, siç janë mjekët, infermierët dhe mësuesit. Për punonjësit e Policisë, Kryeministri Rama njoftoi se rritja e pagave do të jetë 17 për qind, ndërsa në piramidën e rritjeve të pagave nuk do të përfshihet rroga e Kryeministrit dhe ministrave. RROGAT E PENSIONET Përfitues do të jenë 81 mijë punonjës të administratës dhe 600 mijë pensionistë. Sipas llogaritjeve, paga mesatare e punonjësit të administratës aktualisht është 54,500 lekë, me rritjen 10 për qind të parashikuar nga qeveria do të jetë 59,000 lekë. Një specialist i administratës aktualisht paguhet 61,174 lekë, me rritjen e qeverisë paga e tij do të jetë 67,000 lekë në muaj. Nëpunësi i thjeshtë, paga llogaritet 42,000 lekë, me rritjen 10 për qind do të jetë 46,000 lekë. Për pensionet, qeveria ka parashikuar rritje me 3 për qind, të cilat do të aplikohen nëpërmjet ndryshimit të ligjit, pasi reforma mundëson vetëm indeksimin e tyre. Aktualisht, pensioni minimal në qytet është 14,785 lekë, me rritjen 3 për qind ai do të jetë 15,228 lekë. Pensioni maksimal i pleqërisë për qytetin është 25,770 lekë, me rritjen parashikohet të arrijë në masën 26,543 lekë. Nga rritja do të përfitojnë edhe pensionistët në fshatra. Aktualisht, pensioni për këtë kategori është 9542 lekë dhe nga rritja do të jetë 9828 lekë. TE DHENAT 100 milionë dollarë do të jetë fondi i buxhetit për rritjen e pagave dhe pensioneve 70 milionë dollarë do të jetë fondi i buxhetit për rritjen e pagave 10 për qind do të jetë rritja mesatare për pagat 81 mijë punonjës të administratës do të përfitojnë rritjen e pagave 30 milionë dollarë do të jetë fondi i buxhetit për rritjen e pensioneve 3 për qind do të jetë rritja mesatare për pensionet 600 mijë pensionistë do të përfitojnë rritjen e pensionit 36% parashikohet rritja e pagës minimale, nga 22 mijë lekë do të bëhet 30 mijë lekë

Artikulli paraprakLëkundje të forta tërmeti në Tiranë
Artikulli tjetërPËRMBYTET LEZHA NGA RESHJET, DHJETËRA BIZNESE NËN UJË