A do të ketë efekt domino në Ballkan korrigjimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës? Hashim Thaçi hodhi poshtë zërat që deri tani kanë qenë skeptikë duke paralajmëruar ndryshim kufijsh mes shteteve të tjera të Ballkanit dhe më gjerë.

 

“Mendoj se korrigjimi i kufijve dhe e vullnetit të dyanshëm, nuk paraqet ndonjë efekt domino për ne, nuk paraqet hapjen e kutisë së Pandorës, nuk e humb karakterin shumë etnik të Kosovës por e ruan atë karakter dhe se në asnjë rrethanë nuk paraqet luftë, përkundrazi kjo përpjekje dhe ky angazhim paraqet paqe, qëndrueshmëri afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë”.

 

Më herët gjatë një interviste për Këshillin Atlantik, ministri Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se rishikimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës do të hapte “kutinë e Pandorës” në Ballkan.

 

Thaci shmangu për të disatën herë një përgjigje direkte se çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj kërkesës së Serbisë për veriun e Kosovës.

 

“Diçka e tillë ende nuk është dëgjuar nga askush, kërkesa për ndarje është e vazhdueshme jo vetëm në vitet e fundit, por është kërkesë historike e Serbisë, që i takon shekullit të kaluar. Unë e theksoj atë që unë do të ndërmarr, që do të thotë në kuadër të korrigjimit të kufijve, t’i themi shumë qartë jo ndarjes dhe po bashkimit të Preshevës me Kosovën”.

Të forta ishin reagimet e mediave në Kosovë që akuzojnë presidentin Hashim Thaçi se përmes idesë për korrigjim të kufirit po nxjerr në pazar Kosovën.