Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur marrëveshjen për qeverinë e re në Maqedoni duke vlerësuar rritjen e përfaqësimit të faktorit shqiptar. Kreu i shtetit shqiptar i kërkon politikës në Tiranë që të marrë shembull nga Maqedonia dhe të rikthehet sa më shpejt në shina. Kjo gjë duhet të bëhet duke nisur nga marrëveshja e 5 qershorit, thotë Meta.

“Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.

Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës. Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera” shkruan Meta.