Jo vetëm turizmin shqiptar, por pandemia ka goditur mbarë industrinë botërore, ku humbjet janë në miliarda dollarë. Sipas një vlerësimi të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit, kanë mjaftuar 5 muaj pandemi që humbjet të arrijnë në rreth 320 miliardë dollarë, duke kaluar edhe humbjet që pësoi sektori nga recesioni i vitit 2009.

“Midis janarit dhe majit, rënia e papritur dhe e shpejtë e arritjeve turistike kushtoi 320 miliardë dollarë. Kjo është tre herë më e madhe se ndikimi i recesionit të madh të 2007-2009, dhe kjo është vetëm për pesë muajt e parë të vitit”, thuhet në vlerësimin e Organizatës Botërore të Turizmit.

Sipas organizatës as hapja e kufijve nuk është e mjaftueshme për rimëkëmbjen e turizmit madje thuhet se drejtuesit e shtetit duhet të kthejnë sytë nga ky sektor që mban në punë me miliona njerëz.

“Ata që janë në pozicione drejtimi dhe ndikimi, e kanë njohur rëndësinë e turizmi për punë, ekonomi dhe rindërtimin e besimit. Tani, ata duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i bërë njerëzit të udhëtojnë përsëri, duke ndjekur dhe zbatuar të gjitha protokollet të cilat janë pjesë e realitetit të ri”, vijon më tej vlerësimi.

Humbjeve të mëdha nuk mund ti shpëtojë as Shqipëria e cila ka një varësi të lartë ndaj këtij sektori, i cili përbën mbi 22% të PB së vendit. Ekspertët thonë se humbjet do t’i kapërcejnë 1 miliardë euro, ndërsa një ditë më parë INSTAT raportoi për tkurrje të numrit të turistëve në tremujorin e dytë me mbi 75%.