Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Christian Panucci ka zbardhur listën e lojtarëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, ato ndaj Izraelit dhe Skocisë.

Në listën e lojtarëve të grumbulluar ka tre emra të rinj, mes tyre ai i Enea Mihajt, që më parë zgjodhi Greqinë, ndërsa tashmë ka pranuar që të luajë për fanellën kuqezi.
Përpos tij dy emrat e tjerë të rinj janë Binaku dhe Demiri.

Ndërsa përsa i përket gardës së vjetër janë ftuar; Agolli, Hyka dhe Basha, ndërsa disa të tjerë janë lënë jashtë për shkak të dëmtimeve dhe gjendjes jo optimale.

Panuçi u shpreh se pavarësisht debatit për moshën, Agolli i është ftuar në kombëtare, pasi na shërben. Megjithatë shtoi ai, Shqipëria nuk është Brazili, prandaj duhet që të mbështetet te grupi.

I pyetur për Egli Kajën që luan në Angli, ai tha se disa lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë nuk pranojnë që të hapin as telefonin kur i fton për të luajtur në kombëtare.

Duke u ndalur te ndeshja e parë me Izraelin në datë 7 shtator, tekniku u shpreh se ky është momenti i së vërtetës për Shqipërinë.

Tekniku nuk pranon që të japë shumë detaje për modulin e lojës, ndërsa flet edhe për duelin Strakosha-Berisha për portën.

Shqipëria merr pjesë në Ligën C të këtij kompeticioni, ku shorti e vuri në një grup me Skocinë dhe Izraelin. Kuqezinjtë do të debutojnë më 7 Shtator të këtij viti në Shqipëri, përballë Izraelit, ndërsa 3 ditë më vonë do të udhëtojnë në Skoci.

Në 14 Tetor kuqezinjtë do të udhëtojnë në Izrael, ndërsa më 17 Nëntor do të luajnë ndeshjen e fundit, atë me Skocinë në Shqipëri.