Papa Françesku vajtoi sot për sulmet që u bënë ditën e Pashkëve në disa kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku u vranë qindra persona dhe u plagosën më shumë se 400 të tjerë.

“Unë dua të shpreh dhimbjen më të thekshme për komunistetin e krishterë në Sri Lanka, të goditur kur ishte mbledhur në lutje dhe për të gjithë ato viktima të një dhune të tillë aq mizore” tha Papa Françesku në përfundim të lutjes së tij të Pashkëve “Urbi et Orbi” që ia drejtoi besimtarëve nga sheshi i Shën Pjetrit.

Mesazhe për të mos u dorëzuar përpara mosbesimit dhe frikës, para zymtësisë që varros çdo ëndërr, përcolli Papa Françesku në meshën e vigjiljes së Pashkëve, mbajtur në katedralen e Shën Pjetrit në Vatikan.

“Nuk duhet të humbasim shpresën në malin e mëkatevre, Pashkët janë koha kur kokat e varreve rrëzohen, e gurët rrokullisten”, tha Ati i Shenjtë, duke përmendur edhe emigrantët. Ai denoncoi politikanët që shfrytëzojnë mendjengushtësinë lidhur me ta.

“Zoti largon edhe gurët më të mëdhenj që i vendosen shpresave dhe pritshmërive tona. Emigrantët mbajnë kryqe e gjejnë dyer të mbyllura për shkak të frikës dhe zemrave të mbyllura për shkak të kalkulimeve politike”, u shpreh Papa.

Papa bëri thirrje që të mos varrosim kurrë shpresën.
“Këtë na mëson historia e Krishtit. Duhet të synojmë shoqërinë në vend të ndarjeve, besimin në vend të frikës, shpresën në vend të zhgënjimit.

Pashkët japin shpresë për një botë më të mirë. Shpesh na duket se hapat që ndërmarrim nuk do të na çojnë kurrë në qëllimin e paramenduar, se zhgënjimet mbizotërojnë shpresat. Por vetëm mosbesimi është ai që pengon rrugën e shpresës.

“Nëse njeriu lejon që gjërat e këqija të mbizotërojnë dhe e keqja të mos ndalet kurrë, atëherë mund të besohet se vdekja është mbi jetën, atëherë shndërrohemi në krijesa cinike kur na drejton mungesa e sëmurë e guximit. Gurë mbi gurë krijohet një kala e pakënaqësisë dhe varr i shpresës”, tha Papa 82-vjeçar.

Gjate liturgjisë, Ati i shenjtë pagëzoi e i dha kungimin e parë pesë burrave e tre grave nga Shqipëria, Ekuadori, Indonezia, Italia dhe Peruja.

Mesha u mbajt me rastin e festimit të ringjalljes së Krishtit, që sipas besimit katolik shënon ringjalljen dhe fitoren e jetës ndaj vdekjes.

Pashkët janë festa qendrore e të krishterëve në mbarë botën. Çdo vit mblidhen në Romë me qindra mijëra besimtarë për të festuar ringjalljen e Krishtit.