Për Papa Françeskun, Europa dhe bota mbarë po vuajnë nga përhapja e ksenofobisë, të cilën kreu i Vatikanit e konsideron sëmundje njerëzore.

Sipas tij fjalimet e disa politikanëve populistë për çështje si emigracioni kanë shumë ngjashmëri me fjalimet që ish-lideri nazist Adolf Hitler bënte në vitet 30.

Fryma ksenofobe apo urrejtja ndaj emigrantëve dhe të huajve që po përhapet shpejt në Europë dhe në botë po e kthen globin në epokën e vet më të errët.

“Ksenofobia është një sëmundje njerëzore, njësoj si fruthi. Ajo shpesh noton në ujërat e populizmit politik,” deklaroi të martën Papa Françesku pas përfundimit të një turi gjashtëditor në Afrikë.

“Diku dëgjoj fjalime që tingëllojnë të ngjashme me ato të Hitlerit në vitin 1934. Duket sikur po bëjmë hapa pas,” shtoi kreu i Kishës Katolike.

Lideri i 1,2 miliardë besimtarëve katolikë trajtoi edhe problematikat sociale me të cilat përballet planeti, si kriza klimatike dhe emigracioni, por edhe rrezikun e skizmës brenda kishës.

Përçarjet brenda klerit të krishterë janë thelluar veçanërisht me përfaqësuesit e kishave amerikane me bindje konservatore, të cilët ndajnë qëndrime të kundërta për kauza doktrinore, si homoseksualiteti dhe divorci, apo edhe çështjet si ndryshimet klimatike dhe pranimi i emigrantëve.

Papa Françesku tha se tezat e drejtësisë sociale që ai mbron janë të njëjta me ato paraardhësit të tij Papa Gjon Pali i Dytë, dhe akuzat se ai është një papë tejet komunist nuk qëndrojnë.

Në vizitat e tij në Afrikë, kreu i Vatikanit ndaloi në tri shtetet e Mozambikut, Mauritanisë dhe Madagaskarit, ku takoi shtetarët e vendeve dhe u mirëprit nga qindra mijëra besimtarë vendës.