Papa Françesku, që afrimin e Krishtërimit me Islamin e ka kthyer në një gur themeli të Papatit të tij, do të vizitojë në muajin shkurt Abu Dhabin, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo është vizita e 7 e Atit të Shenjtë në një komb me shumicë myslimane, në të cilën pritet të bëjë thirrje për paqe brenda besimeve.

Udhëtimi historik do të mbahet nga data 3 deri më 5 shkurt. Papa argjentinas ka vizituar deri më tani Turqinë, Jordaninë, Egjiptin, Bangladeshin, Azerbajxhanin dhe territoret palestineze, e të gjitha këto ndalesa i ka shfrytëzuar për të ngritur ura dialogu mes feve, teksa e ka dënuar dhunën në emër të Zotit.

Ftesën në Abu Dhabi, kreut të Kishës Katolike ia bëri princi i atjeshëm i kurorës, sheiku Mohammed bin Zayed al-Nahyan, si dhe Kisha lokale Katolike. Princi shkroi në “Twitter” se, Papa është “simbol i paqes, tolerancës dhe promovimit të vëllazërisë”.