Mbledhja e asamblesë së përgjithshme të klubit të futbollit Vllaznia sh.a, 3 anëtarët e zgjedhur të bordit dhe zmadhimi i kapitalit me 193 milion lekë të vjetra janë kryer duke shkelur procedurat ligjore qoftë të ligjit për shoqërite tregtare por edhe vetë statutin e kësaj sh.a-je. Sipas statutit njoftimi për mbledhjen e asamblesë duhet që të bëhet 21 ditë përpara. Ky përcaktim ligjor nuk është zbatuar sepse njoftimi është bërë vetëm para 5 ditëve jo për mbledhje asambleje por për një mbledhje të këshillit bashkiak. Një tjetër shkelje janë paratë e miratuara.

Propozimi i bordit të vjetër që dha dorëheqjen ka qenë për 38 milion lekë ndërsa bashkia ka vendosur që të japë momentalisht vetëm 19.3 milion lekë. U tentua të bëhej bordi i ri pas dorëheqjes së të vjetrit por nuk u arrit sepse u zgjodhën vetëm 3 nga 5 anëtarë që duhet të jenë. Në këtë mënyrë duke mos patur fare bord propozimi nga një bord që ishte dorëhequr dhe ku dorëheqja ishte pranuar nuk ka më fuqi ligjore. Pas këtij dështimi askush nuk mund të jepte përgjigje se cila është arsyeja që duhen miratuar aq para dhe jo më shumë ose më pak ose pse duhen miratuar sepse nuk ekzistonte bordi. Po ashtu askush nuk mund të merrej në pyetje se nga kanë shkuar paratë e miratuara më përpara, si janë shpenzuar dhe a ka patur apo jo abuzime. Administratori sipas ligjit nuk mund të thirret më vonë se 8 ditë për të dhënë llogari ndërkohë që njoftimi i mbledhjes është bërë vetëm para 5 ditësh. Për të vijuar më tej Bashkia ka bërë një audit paraprak që u pranua botërisht nga të gjithë e tashmë edhe zyrtar nga ku tregohet se veprimtaria e klubit të futbollit Vllaznia ka shumë dyshime me shumat financiare dhe janë gjetur shkelje konkrete. Nga ana tjetër këshilli ose asambleja në një farë mënyrë amniston qoftë bordin e vjetër të dorëhequr dhe pa fuqi ligjore por edhe drejtuesit duke miratuar të tjera para pa marrë vesh për milionat e mëparshme. Në fund asambleja autorizoi kryetaren e bashkisë për të nënshkruar aktin e asamblesë për zmadhimin e kapitalit, një shkelje e nenit 176 i cili përcakton se asambleja autorizon vetëm administratorin për zmadhim kapitali dhe askend tjetër. Tashmë duhet pritur nëse QKR do e miratojë apo do e shpallë të pavlefshme këtë vendim çka do dëmtonte ndjeshëm Vllazninë.