Të dy krahët politikë kanë shprehur vullnetin që të arrihet që ditën e sotme konsensusi për aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, por nuk kanë rënë dakord nëse Parlamenti duhet apo jo të vijojë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka la të kuptohej se konsensusi mund të arrihet brenda ditës. “Kërkesa jonë ishte që parlamenti të presë, mos të vazhdojë me punimet derisa të arrihet marrëveshja. Marrëdhënia jonë me këtë sallë sot lidhet pikërisht me çështjen më kryesore që kemi atë të ligjit të dekriminalizimit. Unë e kërkova me mirëkuptim dhe nga pala tjetër që të presim përderisa na u tha që ka vetëm disa pika. Ky mirëkyuptim mund të arihet shpejt. Atëherë le të presim dhe disa orë”, tha Paloka. Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi shprehu gjithashtu gatishmërinë e maxhorancës për të arritur konsensus për aktet nënligjore, por ndryshe nga Paloka, kërkoi që seanca të vijojë. “Në dijeninë time në pjesën dërrmuese të gjërave ka ecur, është dakordësuar. Kanë ngelur 3-4 gjëra që ne jemi të gatshëm që komisioni të vazhdojë me pikësynimin që të arrihet që sot. Nëse jo, vazhdohet dhe nesër, çështja është që ne si Parlament të mos bëhemi pengesë për atë afat që kemi vendosur vetë. Nuk kemi asnjë pikësynim për pengesë të kësaj çështje kështu që do të isha dakord me atë që parashtroi zoti Paloka që të vazhdojnë negociatat për pikat e ngelura. Nëse nuk arrihet sot, t’i arrijmë brenda afatit ligjor që i kemi caktuar vetes”, tha Ruçi. Kuvendi u ndërpre për një orë, pas kërkesës së z. Paloka për një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakTAHIRI: TE PERGATITUR PER REFUGJATET
Artikulli tjetërMOHIMI I VIZAVE NGA SHBA, MANJANI: GATI PROCEDURAT PER SHKARKIM TE GJYQTAREVE