Pas ditëve të festave në Shqipëri, emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë nisur të rikthehen për të vijuar normalisht aktivitetin që ata kanë jashtë vendit.

Një gjë e tillë nuk vihet re vetëm në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit dhe Hanit të Hotit ku ndryshe nga ditët e fundit kishte më shumë persona që dilnin nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Për shkak edhe të masave të shtuara nuk ka patur as radhë pritjesh shumë të gjata.

Megjithatë burimet thonë se numri i emrigrantëve që vijnë në Shqipëri nga viti në vit është në rënie, kjo ndoshta edhe pasi janë të shumtë shkodranët të cilët priten si mysafir nga të afërm të tyre jashtë vendit.

Gjithsesi pritet që deri në fund të javës së ardhshme fluksi i emigrantëve që largohen nga Shqipëria të vazhdojë.

Kështu në këto ditë të para të vitit 2019-të qytetarët shkodranë siç duket i janë kthyer normalitet ndërsa qartazi rrugët e qytetit nuk janë me fluksin e mëparshëm, pas pushimeve në këto ditë të ftohta janari.

Qytetarët gradualisht kanë vijuar lëvizjet, për të vijuar një vit tjetër, mes problemeve të tyre dhe punës së gjithsecilit. Së bashku me punën janë rikthyer edhe dyqanet, qendrat tregtare dhe bizneset, duke vijuar normalisht aktivitetin.

Trafiku nëpër qytet ka vijuar të jetë normal, larg zhurmës dhe kaosit që shoqëruan në ditët e fundit të 2018-ës të gjithë njerëzit, sidomos në qendër të qytetit.

Atmosfera e festave që lamë pas vazhdon të ndjehet sepse njerëzit janë më të dashur, akoma urojnë njëri-tjetrin për suksese e mbarësi për këtë vit të ri. 2019-ta ka trokitur, një vit që shkodranët dhe të gjithë shqiptarët kërkojnë më tepër të mira se në vitin që kaloi.

Njerëzit shpresojnë më shumë që problemet e tyre të jenë sa më të pakta, me mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore.

Ka filluar një tjetër vit i ri, i cili pritet të sjell sërish të njëjtin cikël me ndryshime jo shumë të mëdha por gjithmonë me shpresën për më mirë se sa viti që kaloi.

Artikulli paraprakLEZHË, MES VARFËRISË DHE TRAGJEDISË!
Artikulli tjetërPROTESTAT, STUDENTËT RIKTHEHEN NË SHESH