“Pasioni për Thethin” është libri të cilin e kanë shkruar tre autor të huaj të cilët janë mrekulluar nga bukuritë e alpeve atje. Gerda Muler, fotografi Herman Zonderland promovuan librin për Thethin që vjen i përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Kjo vepër ka edhe një bashkëautor tjetër, albanologun Robert Elsie i cili një vit më parë u nda nga jeta. Robert Elsie ishte një kanadez që kontribuoi për gjuhën shqipe ndaj edhe janë figura që meritojnë më shumë respekt.

Bashkëautorja Gerda Muler tregon si lindi idea për librin “Pasioni për Thethin”

“Idea na erdhi nga fakti që shumë udhëtarë kanë shkuar në Theth dhe kanë shkruar për Thethin si Nopça,

Edit Durham apo të tjerë dhe ne menduam që këtë histori të këtyre udhëtarëve t’ja tregojmë edhe banorëve të Thethit apo të tjerëve sepse kishim përshtypjen se ato nuk dinin për raportimin e këtyre udhëtarëve.

Shtuam edhe historitë tona personale dhe sëbashku me të ndjerin Robert Elsie menduam që të sjellim këtë libër.

Është një libër i çuditshëm sepse përmban edhe opinionet tona dhe kur udhëtuam në Theth u mrekulluam dhe vendosëm ta pasurojmë edhe me fotografi të zonës dhe banorëve atje.

Mungesën e Robert Elsie e ndjej çdo muaj sepse ishte një njeri briland dhe një njohës i jashtëzakonshëm i shqipes dhe ishte dedikuar botës shqiptare. Telefonata për ndarjen nga jeta ishte shokuese për mua”.

Fotografi holandez Herman Zonderland ka sjellë në libër jo vetëm imazhet e alpeve në Theth por edhe shumë prej fytyrave stoike të banorëve atje të cilat janë një histori më vete.

“Bashkëpunimi me Robert Elsie erdhi përmes Gerdës sepse jetojmë afër. Hera e fundit kur ne të tre ishim bashkë në Theth ishte viti 2013. Në fakt ajo ishte hera e parë dhe e fundit dhe udhëtuam nga ana e lumit Kir dhe shijuam bukuritë e mrekullueshme.

Unë jetoj në një vend si Holanda ku gjithçka është e organizuar mirë dhe vij në një vend tjetër ku gjithçka është e ndryshme.

Ekzistojnë malet, njerëzit jetojnë me produktet e zonës, edhe peshku është nepërmjet peshkimit nga vetë banorët.

Është një vend ku mund të bësh shumë gjëra, alipinizëm, ecje, hajking, bukuritë, alpet e mëdha dhe njerëzit e mrekullueshëm dhe mikëpritës. Këto më kanë tërhequr shumë”.

Libri “Pasioni për Thethin” u paraqit në bibliotekën e qytetit “Marin Barleti” në përkujtim të bashkëautorit Rober Elsie që humbi jetën një vit më parë. Ai u varros në Theth ashtu siç e kishte lënë amanet kur ishte gjallë.