Në qendrat e emergjencës ku strehohen të mbijetuarit nga tsunami që përfshiu Indonezinë dy ditë më parë, të mbijetuarit po rrezikojnë jetën për shkak të mungesës së ujit, ushqimeve dhe ilaçeve. Tsunami shkaktoi 429 viktima ndërkohë që rreziku i valëve vullkanike nuk është larguar ende.

Skuadrat e shpëtimit u gjendën në ndihmë të të mbijetuarve nga tsunami i shkaktuar nga një shpërthim vullkanik, që përfshiu Indonezinë, 2 ditë më parë. Por me gjithë përpjekjet e punonjësve, në qendrat emergjente janë ndjerë mungesa e ujit, ushqimeve dhe ilaçeve.

Tsunami goditi natën e së shtunës brigjet e ngushticës Sunda, e cila ndan ishujt Sumatra dhe Java. Ai shkaktoi 429 të vdekur, 1 të plagosur dhe 154 persona të humbur.

Shifrat u publikuan në raportin e fundit të Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Katastrofave, e cila njoftoi se mijëra të mbijetuar u evakuan nga banesat e tyre.

Punonjësit e ndihmës së shpejtë paralajmërojnë për rreziqet e një krize shëndëtësore e cila mund të marrë shumë jetë. “Shumë fëmijë janë të sëmurë, ata kanë ethe, dhimbje koke…”, tha Rizal Alimin,

një mjek OJQ i cili po shërben në një shkollë të konvertuar në një strehë për njerëzit e evakuar. “Ne kemi më pak ilaçe se zakonisht. Nuk ka ujë të mjaftueshëm për të pirë. Njerëzit kanë nevojë për ushqim dhe ata flenë në dysheme. ”

Rreziku i valëve të reja vdekjeprurëse për shkak të aktivitetit vullkanik nuk është larguar ende.