Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pjesës më të madhe të pronave të sekuestruara të ish-deputetit Mark Frroku.

Megjithatë është pranuar zhbllokimi i katër pronave, apartamenteve dhe dyqane për të cilat Gjykata e Shkallës së Dytë ka vendosur t’ia kthejë ish-deputetit.

Mark Frroku u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për tre vepra penale: ‘Fshehje të pasurisë’, ‘pastrim parash’ dhe ‘ndërtim të paligjshëm’.

Pasuritë, të cilat më herët janë vendosur nën sekuestro dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin, janë një sërë apartamentesh në Tiranë, Orikum dhe Shëngjin, vlera e të cilave është vlerësuar nga ekspertët rreth 500 mijë euro.

Gjithashtu në listën e pasurive të Frrokut janë edhe garazhe në Tiranë dhe sipërfaqe toke në Lezhë.