Në ditën kombëtare të rinisë, 8 dhjetorin Partia Demokratike organizoi një aktivitet në nder të atyre që kontribuan për rrëzimin e sistemit monist 28 vite më parë.

Ndërsa falenderoi Lëvizjen Studentore të 1990-ës, kreu i PD Lulzim Basha tha se tashmë opozita ka gati ultimatumin për çlirimin e Parlamentit nga krimi duke iu referuar qeverisë aktuale.

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha zgjodhi Ditën e Rinisë, për t’iu kthyer podiumit në përkujtim të 8 dhjetorit 1990, kohë në të cilën ishte aktiv. Berisha tha se ato ditë i kanë lënë mbresa të veçanta ndërsa protestat aktuale të studentëve i cilësoi si Dhjetori i Dytë.

28 vite më parë studentë nga e gjithë Shqipëria do të ngriheshin në protesta fillimisht për arsye ekonomike e më pas ato politike duke arritur në rrëzimin e sistemit monist bashkë me mbështetjen e mijëra shqiptarëve që iu bashkuan më pas.

Sot shumë prej tyre janë të zhgënjyer sepse Shqipëria nuk përparoi ashtu siç duhet në ëndrrën europiane.