Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ekonominë shqiptare. Përmes një deklarate, kreu i opozitës theksoi se vetëm për këtë vit kishte 100 milion euro më pak investime të huaja. Sipas Bashës, investitorët e mëdhenj, strategjikë dhe seriozë, u zëvendësuan me kompani offshore, PPP dhe koncesionet korruptive. Mes të tjerash ai tha se lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha. Ja se çfarë shkruan Basha në statusin e plotë të tij:
“Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri.

Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro. Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu konçesionet korruptive. Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve.

Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja. Dy investitorët e vetëm strategjike, TAP dhe Devolli, po e perfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe konçensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve. Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë.

Lufta kundër korrupsionit, anullimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze”.

Artikulli paraprakKJO ËSHTË TOKA IME”, EMINA CUNMULAJ KRENARE PËR ORIGJINËN SAJ: S’KA SI VENDI YT
Artikulli tjetërPRESIDENTI META REAGON ASHPËR PËR LIGJIN ANTISHPIFJE