BUJAR HOTI: FTOJMË PS TË DISTANCOHET NGA AKUZA TË TILLA. Dalim në këtë deklaratë për media që të sqarojmë opinionin publik mbi incidentin e një dite më parë në Berdicë. Përmes kësaj deklarate, duam të shprehim edhe një herë qartë dhe prerazi, se në asnjë moment dhe në asnjë rast, asnjë nga anëtarët e PD-së nuk ka provokuar, kërcënuar apo dhunuar as edhe një anëtar apo mbështetës të kampit kundërshtar.

Në të kundërt po vepron Partia Socialiste e cila, dërgon militantë të saj në zona si rasti i Berdicës, të pashoqëruar nga banorë të zonës apo mbështetës të Partisë Socialiste aty. Kryetari i PD-së Berdicë Isuf Meta, në asnjë moment nuk ka kërcënuar apo provokuar personat në fjalë, të cilët, nuk janë identifikuar si mbështetës të PS-së apo kandidates së kësaj force politike, por përkundrazi, kanë qenë ata të parët që kanë nisur provokimin në drejtim të tij. Edhe pse i provokuar në derën e shtëpisë së tij, Zoti Isuf Meta nuk ka reaguar por është larguar me automjetin e tij. Por ky nuk është provokimi i parë, pasi tashmë është e qartë se janë pikërisht këta persona të cilët kanë hequr edhe posterat e kandidates së PD-së, Zonjës Voltana Ademi në zonën e Berdicës. Ky veprim i Partisë Socialiste tregon qartë edhe një herë qëllimet dashakeqe të Mazhorancës aktuale, e cila synon prishjen e proçesit elektoral duke krijuar incidente të tilla përmes militantëve të saj. Zoti Isuf Meta është përfaqësues i denjë i asaj zone dhe jo vetëm, pasi për 50 vite, familja e tij është pushkatuar, persekutuar dhe shpronësuar. Duke qenë i tillë, del qartë se provokimi ndaj tij ka qenë i qëllimshëm. I kërkojmë Partisë Socialiste dhe kandidates së Mazhorancës, Zonjës Keti Bazhdari, të heqin dorë nga krijimi i situatave të pakëndshme dhe provokimeve të tilla.

PUBLICITET