Përmes një deklarate nga selia blu, deputetja Jorida Tabaku ka deklaruar se PD do ta anulojë konçensionin e Rrugës së Kombit sapo të vijë në pushtet.

Ajo hodhi akuza mbi kryeministrin Rama, se tarifa prej 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit është një taksë e re për shqiptarët. Më tej ajo shtoi se dhënia me konçension e kësaj rruge është një aferë korruptive. “Edi Rama ka vendosur një taksë të re, e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. 10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. 5 euro në vajtje, e 5 euro në kthim. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët. Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë, pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen, atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën. Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi maksimal sugjeruar nga ekspertët! Një aferë e pastër me miliona euro çdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro çdo vit që do të japë shteti. Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Përpara se të merrej ky vendim, duhej bërë një analizë e plotë, shterruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare. Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anullojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre”.

Artikulli paraprakÇUDIT MINISTRI TAHIRI, XHIRO ME MOTOR NË MES TË TIRANËS
Artikulli tjetërBERISHA PËR XHAFËN: FATMIR DROGA, FESTË PËR DËSHTIMIN E DREJTËSISË