Partia Demokratike i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku i kërkon që të shkarkohen nga detyra ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Në letrën që PD i drejton kryeparlamentarit Ruçi thuhet se “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisioni Hetimor”.

“Ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë akuzohen nga PD për pengim të qëllimshëm të Komisionit Hetimor “Tahiri” dhe kjo bëhet me qëllim fshehjen e gjurmëve të lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar”, thuhet në letër.

Gjithashtu, PD akuzon Ministrin Xhafaj për asgjesim provash në mbrojtje të vëllait trafikant siç thotë ajo, si dhe Tahirit, Ballës, Çyrbjës etj.

“Mandati i Komisionit Hetimor perfundoi sot pa asnjë rezultat për shkak të pengimit të qëllimshëm të punës nga qeveria”, vijon më tej letra, duke shtuar se “Pengimi i Komisionit Hetimor nga Qeveria është dhunim i kushtetutës dhe asgjësim i Parlamentit.”

“PD kërkon shtyrjen e Komisionit Hetimor “Tahiri” me 3 muaj dhe qëndrim të prerë nga Kuvendi për përgjegjësit”, mbyllet letra e PD drejtuar Gramoz Ruçit.