Me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, siç edhe lideri demokrat Lulzim Basha e theksoi këtë të martë, procesi i diskutimit për reformën zgjedhore është zhvendosur jashtë Parlamentit, për herë të parë me praninë e të gjitha palëve politike me kërkesën e opozitës së bashkuar për të dalë në një draft përfundimtar i cili të miratohet pa asnjë ndryshim dhe me konsensus të plotë në seancë pleanare në Kuvend.

Dy përfaqësuesit e mandatuar sot të opozitës së bashkuar, ish-deputetët Petrit Vasili nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD, u ulën në një tryezë me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Për publikun, ky takim ishte i papritur, por në prapaskenat politike, gjithçka ishte dakordësuar dhe bërë gati. Kjo u duk kur gazetarët, të sapo njoftuar për një mbledhje të komisionit të posaçëm për reformën, pyetën kryedemokratin Basha nëse ky është një hap drejt konsensusit. Por me përgjigjen e dhënë, Basha e dinte mirë se nuk bëhej fjalë për një mbledhje të komisionit parlamentar, por për një tryezë tek Pallati i Kongreseve, ku dy të mandatuarit e opozitës joparlamentare, ishin nisur për t’iu bashkuar takimit me Gjiknurin dhe Hajdarin.

“Ne me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, kemi mundësuar një proces në të cilën të dakordohen mbi propozimin tonë prej tetorit”, tha Basha në përfundim të një takimi ditën e sotme me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe aleatëve.

E para që i uli në tryezë palët, ishte prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në nëntor të vitit 2019, por palët, më shumë se sa bashkimin në një pikë, shpalosën divergjenca të forta sa i përket sistemit, financimit të partive politike dhe reklamave të fushatës.

PD dhe LSI u përfaqësuan në nivel ekspertësh të çështjeve zgjedhore. Në këtë tryezë munguan me kast drejtuesit e partive kryesore të opozitës së bashkuar, Basha e Kryemadhi, me kërkesën e refuzuar, për përjashtimin nga ky proces të Damian Gjiknurit. Por nga bojkoti deri tek OSBE, sot palët gjendet të gjitha në të njëjtën tryezë.

Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm, Rudina Hajdari e ka shprehur publikisht se kërkesa e saj më e fortë është arritja drejt ndryshimit të sistemit me lista të hapura, që do të thotë që qytetarët shqiptarë të votojnë për kandidatin drejtpërdrejtë dhe jo për partinë e cila përmes radhitjes në sajë të preferencës së kryetarit zgjedh deputetët në varësi të votave të marra.

Por qëllimi i tryezës së parë që forcat politike, PD, LSI, opozita e re, dhe mazhoranca ulen në një tryezë të vetëm, pa prani të “ndërmjetësuesve” të huaj, është arritja e konsensusit të plotë dhe dalja në përfundim me një draft të vetëm. Se sa do të arrihet kjo, mbetet t’i lihet zhvillimeve politike që do të pasojnë këtë tryezë. Nuk dihet po ashtu, nëse miratimi i reformës, do të sjellë zgjedhje të parakohshme, siç Basha kërkoi sot, që të mbahen në të njëjtën datë me ato lokale.

Deri më tani Komisioni i Posaçëm Parlamentar me përbërje të deputetëve të shumicës dhe opozitës, kanë punuar në dy drafte, depolitizimin e komisionerëve dhe financimin e partive politike. Ndërsa opozita jo parlamentare në tryezën paralele ka zhvilluar disa takime ku ka diskutuar për votimin elektronik dhe financimet, por ende nuk është zbuluar drafti i plotë me propozimet.