Fill pas deklaratës së saj se do të vijojë të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike deklaron se Rudina Hajdari prej sot nuk do të jetë më pjesë e Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

Kjo masë sipas Gazment Bardhit është e mjaftueshme, pasi Hajdari nuk është anëtare e PD-së.

Gazment Bardhi: Vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton!

Në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike.

Në deklaratën për mediat, Gazment Bardhi, thotë se babai i deputetes, Azem Hajdari, ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike.

Gazment Bardhi: Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar.

Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve.

Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi.

Ata kanë folur qartë më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar!
Rudina Hajdari deklaroi për Zërin e Amerikës se do të mbajë mandatin e deputetit.

Ajo kritikoi opozitën për djegien e mandateve në bllok, duke u shprehur se ky vendim mund të çojë në destabilizim të vendit.