Partia Demokratike ka prezantuar propozimet kundër krimit zgjedhor. Tre përfaqësuesit e PD për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Enkelejd Alibeaj dhanë detajet e këtyre propozimeve.

Bylykbashi tha se synimi ynë është garantimi i fushë lojës së barabartë për të gjithë aktorët zgjedhorë.

Oerd Bylykbashi: Çështjet kryesore janë një rol i ri aktiv Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit në parandalimin e e krimit zgjedhor, në goditjen e tij para ditës së votimit, një rritje e instrumenteve, fuqizimi i instrumenteve që do të kenë në dorë pikërisht organet ligjzbatuese,

me një kornizë kontrolli të fortë në mënyrë që jo vetëm të luajnë rolin e tyre por edhe të mos abuzohen nga qeveria. por gjithashtu duke iu dhënë një rol të rëndësishëm instrumenteve të tjerë në dorën e zgjedhësve për të qenë ata faktor kryesor në denoncimin dhe goditjen e krimit zgjedhor.

Një nga elementët kryesore që OSBE/ODIHR-i nënvizon në disa raporte; 2015, 2017, 2019 janë shitblerja e votës, është presioni mbi zgjedhësit që janë punonjës të administratës, cënimi i sekretit të votës, cënimi i lirisë së votës.

Qëllimi i propozimeve tona është që të godasin pikërisht këto fenomene, qoftë duke i parandaluar, qoftë duke I djegur penalisht, në mënyrë që të rritet besimi jo vetëm tek procesi, por edhe tek legjitimitetit i organeve që dalin nga zgjedhjet.

Ndërsa Ivi Kaso sqaroi futjen e nocionit të “sinjalizuesve”, të cilët do të denoncojë çdo fenomen të shit-blerjes së votës.

Ivi Kaso: Duke futur nocionin e “sinjalizuesve” sa i përket kundravajtjeve administrative dhe veprave penale në fushën e zgjedhjeve, duke shkuar në një linjë me një legjislacion që ne e kemi që prej vitit 2006 dhe i amenduar në vitin 2016 sa i përket sinjalizuesve në përgjithësi.

Pra nuk është një nocion i panjohur në kornizën ligjore aktuale. Por është një risi e propozimit të këtij nocioni për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. E kemi propozuar si projekt amendamentet për të shtuar dy nene në kodin zgjedhor. Sinjalizuesit tradicionalisht dhe në mënyrë të natyrshme janë ajo pjesë e votuesve që janë identifikuar si votues të subjekteve kundërshtare, ose neutral ndaj të cilëve ushtrohet presion i madh vecanërisht nga subjektet që janë në pushtet.

Për shkak të fyerjes, presionit ose përballë ryshfetit të propozuar kanë një predispozicion të brendshëm që ta denoncojnë atë nëse do tu mundësohet një kornizë ligjore që tu ofrojë atyre mbrojtje dhe garanci për vijimësi qoftë të marrëdhënieve të punës apo veprave penale të caktuara.

Pra dy propozimet tona janë ato për shtimin e dy neneve në kodin zgjedhor. Neni 108/a parashikon futjen e konceptit të sinjalizuesve dhe neni 180/b ndalet më gjerësisht në mbrojtjen që i ofrohet sinjalizuesit,s i nga pikëpamja administrative ashtu edhe ajo e ndjekës penale. Pra të ketë lirinë maksimale të denoncojë çdo fenomen të shit-blerjes së votës.

Alibeja sqaroi 4 direktiva kryesore që ata jemi bazuar për të draftuar dispozitat ligjore.

Enkelejd Alibeaj: E para, mbrojtësi më i madh i votës është qytetari.

Së dyti, duhen dhënë qytetarit instrumente në dorë për ta mbrojtur votën.

Së treti, agjencitë ligjzbatuese do të duhet të mbrojnë votën duke zbatuar ligjin. Policia nuk duhet të heqë kapelen për të bërë vota për pushtetin. Polici duhet të mbajë në kokë kapelen dhe në dorë ligjin.

Së katërti, shkelja e detyrimeve ligjore prej institucioneve shtetërore do të duhet të çojë në pavlefshmëri të zgjedhjeve.