Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Rama për të emëruar Sandër Lleshin në postin e zv/ministrit të Brendshëm, por me kompetencat e ministrit.

Në një deklaratë për mediat, PD-ja argumenton se këmbëngulja e Ramës konfirmon atë që opozitë thotë se kryeministri e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme.
Sipas PD, emri i Sandër Lleshit është figura më e papërshtatshme për të drejtuar ministrinë e Brendshme.

Reagimi i PD
Këmbëngulja e Edi Ramës për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme.

Duke qenë vetë de facto Ministër i Brendshëm, Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet.

Emërimi i figurës më të papërshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Brendshme provon që Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër krimit të organizuar, por mbrojtja e tij me çdo çmim.

Është fakt që deri më sot asnjë emërtesë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk e ka luftuar krimin e organizuar, por ka bashkëpunuar dhe e ka mbrojtur atë me porosi direkte të Edi Ramës.

Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar paprekshmëri krimit.