Ndërsa KQZ i jep sot mandatin 6 kandidatëve nga PD dhe LSI për tu betuar si deputetë të rinj të opozitës, një tjetër kandidat nga listat zgjedhore të PD-së, ka dorëzuar këtë të hënë formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Alban Zeneli, nga lista e PD-së në Kukës për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ka shprehur vullnetin për të pranuar mandatin e deputetit. Alban Zeneli ka qenë deputet në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 2013-ës, por nuk e fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2017.

Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ, do të thërrasë të gjithë kandidatët në listat e partive që u dorëhoqën nga Kuvendi, për të bërë zëvendësimin e deputetëve. Hapi i parë është dorëzimi i formularit të vetëdeklarimit, në saj të ligjit të dekriminalizimit. Kandidatët kanë 10 ditë kohë nga momenti i thirrjes nga KQZ, për të dorëzuar formularët.

Më tej KQZ u jep mandatin dhe deputetët bëjnë betimin në Kuvend, siç ndodhi me 4 kandidatët e parë nga LSI që pranuan mandatin e deputetit.